Gazeta KuqeZi

Assange deputet në Australi?

Julian Assange, themeluesi i “Wikileaks”, ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i shpëtuar urdhërit të ekstradimit në Suedi dhe eventualisht përballjes së tij me drejtësinë amerikane.
Njeriu që themeloi faqen e famshme e cila publikoi qindra mijëra kabllograme sekrete amerikane, kryesisht ato të komunikimit të Departamentit të shtetit Amerikan me ambasadat e tij në botë, përballet me një akuzë përdhunimi në Suedi dhe një gjykatë në Londër ka aprovuar dërgimin e tij në vendin skandinav për gjykim.
Megjithatë, vetë 41-vjeçari mendon se i gjithë procesi fals dhe ka si qëllim dërgimin e tij në SHBA, ku mund të dënohet deri me vdekje për spiunazh dhe veprimtari në dëm të interesave kombëtare të shtetit.
Prej muajsh tashmë, Assange ka gjetur strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku i është akorduar strehimi politik, por nuk lejohet që të largohet nga territori i Britanisë.
Përballë kësaj situate, babai i “Wikileaks” duket se ka gjetur si zgjidhje mundësinë e veshjes me imunitet politik në vendin e tij, në Australi.
Sipas të përditshmes “Daily Mail”, 41-vjeçari synon të paraqesë kandidaturën në zgjedhjet e shtatorit, për t’u shndërruar në ligjvënës të shtetit të Viktorias, brenda shtetit-kontinent.
Ndonëse në këtë rast Londra nuk do të ishte sërisht e detyruar që ta lejonte të shkonte, një burim pranë Assange u shpreh se ai ka besim që fitimi në zgjedhje do t’i lejonte kthimin në vendlindje, pasi Britania nuk do të rrezikonte një incident diplomatik duke mbajtur të izoluar një deputet australian.
Për shkak të vendimit të formës së prerë të gjykatës së Londrës, Assange përballet me një arrestim të menjëhershëm dhe dërgimin e tij në Suedi, në rast se do të shkelë jashtë ambasadës ekuadoriane në kryeqytetin britanik.

Leave a Reply

Kuriozitete

Te drejtat e autorit © 2013 Gazeta KuqeZi

Krijuar nga